Një baba në Zvicër ka rrëfyer se si një telefonatë nga vajza e tij në natën e Vitit të Ri i dha mundësinë të shpëtonte jetën e të paktën dhjetë personave, pas shpërthimit të një zjarri vdekjeprurës në një vendpushim skish në Alpet Zvicerane.
Paolo Campolo, 55 vjeç, i tha gazetës italiane Il Messaggero se vonesa e vajzës së tij 17-vjeçare për të hyrë në barin luksoz “Le Constellation” në Crans-Montana rezultoi vendimtare. Ajo ishte ndalur fillimisht në shtëpinë e të atit për të festuar bashkë ndërrimin e viteve, për të bërë një dolli dhe për të prerë panettonen tradicionale italiane, një vonesë që, sipas tij, i shpëtoi jetën.
Vajza duhej të takonte të dashurin e saj në klub, i cili kishte hyrë më herët brenda. Ajo nuk arriti të hynte, pasi rreth orës 1:20 të mëngjesit shpërtheu zjarri. E tronditur, ajo telefonoi të atin duke kërkuar ndihmë. Paolo, i cili pa flakët nga shtëpia e tij jo shumë larg lokalit, u nis menjëherë drejt vendngjarjes me një fikës zjarri.
Duke folur nga spitali në Sion, ku po trajtohet për probleme serioze të frymëmarrjes për shkak të thithjes së tymit, Campolo tregoi se zjarri u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme, duke mbushur ambientin me tym të zi dhe duke lënë njerëzit pa oksigjen. Mes kaosit, ai arriti të gjejë një dalje të bllokuar dhe, me ndihmën e një të huaji, theu një dritare, duke nxjerrë jashtë rreth dhjetë të rinj, shumica prej tyre të plagosur dhe të tronditur.
Ai kujtoi se shumë prej viktimave ishin shumë të reja dhe se disa ishin ende të vetëdijshme, ndërsa të tjerë kërkonin ndihmë në gjuhë të ndryshme. Forcën për të vazhduar, tha ai, e gjeti nga një mendim i vetëm: “Mund të kishin qenë fëmijët e mi”.