Teksa skema e pensioneve pritet të rishikohet, nga nisja e vitit 2026 hyjnë në fuqi ndryshime të reja në kriteret e daljes në pension. Konkretisht, ndryshon mosha e daljes në pension për gratë, si dhe rriten vitet e vjetërsisë në punë për të dyja gjinitë, në zbatim të reformës së sigurimeve shoqërore që ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2015.
Reforma, e miratuar 11 vite më parë, parashikon një rritje graduale të moshës së pensionit dhe të viteve të sigurimit, të cilat lidhen drejtpërdrejt me masën përfundimtare të pensionit të pleqërisë.
Gjatë vitit 2026, një grua duhet të ketë mbushur moshën 62 vjeç për të përmbushur kriteret e daljes në pension. Sipas ndryshimeve në ligjin “Për sigurimet shoqërore”, mosha e pensionit për gratë do të rritet me dy muaj çdo vit, duke arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Më pas, rritja e moshës do të nisë edhe për burrat, me objektivin që në vitin 2056 mosha e pensionit të jetë 67 vjeç për të dyja gjinitë.
Ndërkohë, edhe pse burrat nuk preken ende nga rritja e menjëhershme e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga shtimi i viteve të vjetërsisë në punë. Nëse deri në dhjetor të vitit 2014 kërkoheshin 35 vite sigurimi, nga 1 janari 2026 do të nevojiten 39 vite. E njëjta skemë zbatohet edhe për gratë, të cilave, krahas rritjes së moshës, u shtohen paralelisht edhe vitet e vjetërsisë në punë.
Sipas legjislacionit në fuqi, rritja graduale e viteve të sigurimit ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë. Pensioni përllogaritet mbi bazën e një formule që përfshin një shumë bazë, të barabartë me pensionin social, e cila shumëzohet me vitet e sigurimit dhe pjesëtohet me vitet e vjetërsisë në punë të përcaktuara me ligj.
Kriteret për vitin 2026:
Mosha e daljes në pension
Burra: 65 vjeç
Gra: 62 vjeç
Vjetërsia në punë
Viti 2025: 38 vjet e 8 muaj
Viti 2026: 39 vjet
Këto ndryshime synojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të skemës së pensioneve dhe një lidhje më të fortë mes kontributeve të paguara dhe përfitimit final.