Një seri ortekësh në Alpet italiane kanë shkaktuar dy viktima dhe disa të plagosur këtë të premte, ndërsa kushtet e vështira atmosferike kanë penguar ndjeshëm operacionet e shpëtimit, bënë të ditur autoritetet.
Sipas agjencisë Reuters, orteku i parë goditi Luginën Maira, në jugperëndim të Alpeve, pranë kufirit me Francën, në rajonin e Piemonte-s. Si pasojë, një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, njoftoi Shërbimi i Shpëtimit Alpin (Soccorso Alpino).
Për shkak të erërave të forta dhe motit të keq, ekipet e shpëtimit u detyruan të niseshin në këmbë nga zonat më të ulëta, pasi helikopterët nuk mund të operonin në vendngjarje.
Një ortek i dytë u regjistrua pranë Pragelato-s, një destinacion i njohur skish rreth 60 kilometra në perëndim të Torinos. Një grua e përfshirë nga orteku arriti të çlirohej vetë, por për shkak të plagëve nuk ishte në gjendje të lëvizte. Ekipet e shpëtimit po punonin për evakuimin e saj, ndërsa përdorimi i helikopterëve mbeti i kufizuar nga kushtet atmosferike.
Autoritetet thanë se po verifikonin gjithashtu raportimet për një ortek të tretë në Piemonte, por pa dhënë ende detaje të tjera.
Ndërkohë, në rajonin verilindor të Veneto-s, një tjetër ortek në shpatin Vajo Gabene, në zonën e Dolomiteve të Vogla, i mori jetën një alpinisti 50-vjeçar. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, ekipet e shpëtimit arritën tek viktima me helikopter, por nuk mundën ta shpëtonin.
Reshjet e dendura të borës të shoqëruara me erëra të forta kanë rritur ndjeshëm rrezikun e ortekëve në Alpe gjatë ditëve të fundit, duke nxitur autoritetet të lëshojnë paralajmërime për skiatorët dhe alpinistët. Zyrtarët lokalë u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin lëvizjet jashtë pistave të skive, pasi kushtet mbeten të paqëndrueshme.