“Trotuaret në Tiranë, rrezik për këmbësorët”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.01.2026, 23:07

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një problem që sipas tij shpesh kalon pa u vënë re, por që mund të përbëjë rrezik real për këmbësorët, veçanërisht për të moshuarit.

Sipas qytetarit, cilësia e trotuareve në disa zona të Tiranës, e kombinuar me motin me shi, ngricat dhe gjethet e rëna të pemëve, krijon kushte të rrezikshme për rrëshqitje dhe incidente me pasoja fizike.

Ai ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania një video, ku ka filmuar trotuaret në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Në pamje, qytetari shpreh dyshime mbi cilësinë e materialeve dhe punimeve të kryera, duke pretenduar se sipërfaqja e trotuarit është tepër e lëmuar dhe nuk garanton sigurinë e kalimtarëve, sidomos në kushte të pavaforshme atmosferike.

Sipas tij, trotuari ka një pamje që imiton pllakat, por nuk ofron fërkimin e nevojshëm për ecje të sigurt. Prania e gjetheve të rëna e shton më tej rrezikun e rrëshqitjes, duke e bërë situatën edhe më problematike për personat e moshuar, të cilët mund të humbin ekuilibrin dhe të pësojnë dëmtime serioze.

Qytetari thekson se kjo gjendje, sipas tij, nuk është e izoluar vetëm në këtë zonë, por vihet re në disa pjesë të kryeqytetit, duke ngritur shqetësimin se siguria e këmbësorëve nuk po merret mjaftueshëm në konsideratë.

Pamjet janë dërguar në redaksinë e JOQ Albania për të nxjerrë në pah një problem që, sipas tij, meriton vëmendje dhe reflektim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit