Kanë kaluar tashmë dy netë dhe ende nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e Ali Avdollit, 82-vjeçarit nga Elbasani, i cili vuan nga demenca dhe rezulton i humbur që prej mbrëmjes së 31 dhjetorit.
Familjarët janë në ankth të plotë, pasi i moshuari u largua nga banesa e tij në lagjen “5 Maji” rreth orës 10:00 të paradites dhe nuk është kthyer më. Prej asaj kohe, pavarësisht kërkimeve, nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Sipas informacioneve të fundit, gjysh Aliu është parë për herë të fundit pasditen e 31 dhjetorit te “Çesma e Kasinës”
Në momentin e largimit, ai ka qenë i veshur me xhup blu të errët dhe pantallona gri të errëta. Kalimi i dy netëve pa asnjë lajm, temperaturat e ulëta dhe gjendja e tij shëndetësore e bëjnë situatën tejet shqetësuese.
Familjarët u bëjnë apel urgjent qytetarëve: kushdo që mund ta ketë parë ose ka informacion mbi vendndodhjen e tij, është i lutur të kontaktojë menjëherë në numrin: 067 201 2462
Çdo informacion mund të jetë vendimtar.