Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar autoritetet iraniane që të mos përdorin dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke deklaruar se Uashingtoni “do të ndërhyjë” nëse ata vriten.
Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, Trump shkroi: “Jemi gati dhe të përgatitur”, pa dhënë detaje konkrete se çfarë veprimesh mund të ndërmarrë SHBA.
Deklarata e tij u pasua nga një reagim i ashpër nga Ali Larijani, këshilltar i liderit suprem iranian Ali Khamenei, i cili paralajmëroi se çdo ndërhyrje amerikane në çështjet e brendshme të Iranit do të sillte destabilizim në të gjithë Lindjen e Mesme dhe do të dëmtonte interesat e SHBA-së.
Sipas raportimeve, të paktën tetë persona janë vrarë në Iran gjatë gati një jave protestash masive, të nxitura nga përkeqësimi i situatës ekonomike dhe rënia e fortë e monedhës kombëtare, rialit.
Në postimin e tij, Trump shkruante: “Nëse Irani qëllon dhe vret protestues paqësorë, siç e ka zakon, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijnë në ndihmë të tyre.” Megjithatë, presidenti amerikan nuk sqaroi se çfarë lloj ndërhyrjeje mund të bëhej.
Kujtojmë se në qershor, SHBA-ja kreu sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane me urdhër të Trump, veprim që autoritetet amerikane pretenduan se vonoi ndjeshëm përpjekjet e Iranit për ndërtimin e armëve bërthamore, pretendim që është mohuar nga Teherani. Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa drejt një baze të rëndësishme ushtarake amerikane në Katar.
Ndërkohë, disa nga protestuesit në Iran shprehen se mbështetja amerikane do të ishte e mirëpritur. Një grua e re, e cila protestonte në Teheran dhe foli për BBC në kushte anonimiteti, tha se forcat e sigurisë “kanë frikë” nga deklaratat e Trump dhe të kryeministrit izraelit Netanyahu, pasi besojnë se kërcënimet mund të shoqërohen me veprime konkrete.
Gjatë ditëve të fundit janë raportuar viktima në disa qytete, përfshirë Lordegan, Azna, Kouhdasht dhe Marvdasht, ndërsa BBC thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto raportime. Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë përplasje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, si edhe automjete të djegura.
Protestat nisën të dielën në Teheran, fillimisht nga tregtarë të revoltuar për rënien e rialit, dhe më pas u përhapën në qytete të tjera, ku u bashkuan edhe studentë universitarë. Në shumë raste janë dëgjuar thirrje kundër udhëheqjes klerikale dhe kërkesa për largimin e Ali Khameneit nga pushteti.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se do të dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm i Iranit ka paralajmëruar se çdo përpjekje për destabilizim do të përballet me një “përgjigje vendimtare”.