Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon një situatë aspak normale në Rrugën e Kombit, ku një mjet i kompanisë Salillari është aksidentuar dhe është përmbysur, ndërsa rruga raportohet se ka qenë e rrëshqitshme dhe pa u hedhur kripë.
Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, nuk është kryer asnjë ndërhyrje për sigurinë e qarkullimit, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike. Në videon e shoqëruar me komente zanore, denoncuesi dëgjohet duke thënë: “Salillari me këmbë përpjetë”, duke iu referuar mjetit të përmbysur.
Qytetari shprehet se kjo neglizhencë u ka rrezikuar seriozisht jetën drejtuesve të mjeteve, ndërsa fakti që edhe mjeti i kompanisë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës përfundon i aksidentuar shihet si tregues i qartë i gjendjes së rëndë të aksit rrugor.
Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet përgjegjëse dhe sqarime nga kompania Salillari për mungesën e masave të sigurisë në një nga rrugët më të rëndësishme të vendit.