Edhe pse Kryepolici Ilir Proda, në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, zhvilloi një takim me efektivët e policisë rrugore ku i falënderoi për “punën e palodhur” dhe deklaroi se strukturat ishin në gatishmëri të plotë, realiteti i orëve dhe ditëve pasuese e rrëzon këtë propagandë zyrtare.
Nën kujdesin e kësaj policie në gatishmëri, rrugët e vendit u zbardhën me gjak. Dita e djeshme u mbyll me një bilanc tragjik në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në zonën e njohur si “Bypass”, ku tre të rinj 24, 25 dhe 27 vjeç shuan në lulen e rinisë. Pas një përplasjeje të fortë mes një mjeti tip “Volkswagen”, ku udhëtonin Anxhelo Ruçi dhe Kelidi Myftaraj, dhe një mjeti tip “Benz”, ku ndodhej Martin Dulaj së bashku me të fejuarën e tij, tre jetë u shuan, ndërsa e reja vijon të luftojë për jetën nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.
Por dështimi i policisë së drejtuar nga Ilir Proda nuk u ndal me kaq. Mëngjesin e sotëm, një tjetër tragjedi goditi aksin Shkodër–Lezhë, ku pas një përplasjeje fatale humbën jetën Petrit dhe Elona Florini, një çift bashkëshortësh nga Puka.
Ndërkohë, në Rrugën e Kombit, një seri aksidentesh zinxhir krijuan panik dhe kaos mes drejtuesve të mjeteve, duke dëshmuar edhe një herë mungesën e kontrollit dhe menaxhimit të situatës nga strukturat përgjegjëse. Vetëm fati shmangu viktima të tjera.
Deklaratat e Ilir Prodës për gatishmëri dhe siguri bien ndesh me realitetin e përgjakur të rrugëve shqiptare. Ndërsa qytetarët humbin jetën, drejtuesit e policisë mjaftohen me fjalë dhe takime formale, pa asnjë përgjegjësi konkrete për dështimin e tyre.