Personat në foto janë çift bashkëshortësh nga Puka, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident të rëndë në aksin Lezhë–Shkodër. Viktimat janë identifikuar si Elona Florini, 42-vjeçe, mësuese, dhe Petrit Florini, 53-vjeç, efektiv policie. Nga përplasja e fortë e dy automjeteve, një grua dhe një fëmijë që udhtonin me mjetin tjetër mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë për ndihmë mjekësore.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë për nxjerrjen e trupave, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ky është aksidenti i dytë me viktima në Shqipëri që nga fillimi i vitit 2026, duke shtuar shqetësimin për sigurinë rrugore.
Dita e parë e vitit pati një tjetër tragjedi në aksin Gjirokastër–Tepelenë, ku tre të rinj, Klejdi Myftari, 24 vjeç, Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, dhe Martin Dulaj, 25 vjeç, humbën jetën nga një përplasje e dy automjeteve. E fejuara e Dulajt, Arsida Demiri, 19 vjeçe, mbeti e plagosur rëndë dhe ndodhet nën kujdesin intensiv në Spitalin e Traumës në Tiranë.