Një situatë e rrezikshme po raportohet gjatë orëve të fundit në Rrugën e Kombit, ku prezenca e madhe e akullit në asfalt ka sjellë dhjetëra aksidente dhe vështirësi serioze për qarkullimin e mjeteve.
Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksi, vetëm në segmentin Rrëshen Kukës janë regjistruar mbi 20 aksidente, kryesisht për shkak të ngricave dhe rrugës jashtëzakonisht të rrëshqitshme. Qytetarët shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës.
Një qytetar shkruan: “Përshëndetje. Lajmëroni pak që Rruga e Kombit është e gjitha akull. Janë bërë mbi 20 aksidente, s’kemi parë ndonjëherë kaq shumë.”
Një tjetër mesazh thekson: “Prsh, në autostradën Rrëshen Kukës afro 20 makina të aksidentuara nga ngrica në rrugë.”
Ndërsa një qytetare apelon për kujdes maksimal: “Përshëndetje dhe gëzuar Vitin e Ri! Dua që nëpërmjet jush të lajmëroj të gjithë udhëtarët që bëjnë sot rrugën për Kukës, kujdes se rruga është shumë e rrëshqitshme. Kanë hedhur vaj në rrugë. Isha dëshmitare ku një makinë përpara meje rrëshqiti dhe, falë Zotit, nuk ndodhi gjë se e manovroi shumë mirë shoferi makinën. KUJDES ju lutem!”
Qytetarët kërkojnë që autoritetet shtetërore të marrin masa urgjente për pastrimin e rrugës, hedhjen e kripës dhe garantimin e sigurisë për drejtuesit e mjeteve, pasi rreziku për aksidente mbetet i lartë.
Deri në përmirësimin e situatës, drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me shpejtësi të ulët, të ruajnë distancën dhe, nëse është e mundur, të shmangin udhëtimet e panevojshme në këtë aks rrugor.