Ndërsa shumica e qytetarëve kishin zgjedhur ta prisnin Vitin e Ri 2026 mes familjes, miqve dhe planeve festive, për dikë tjetër 1 janari kishte nisur… “në krye të detyrës”.
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga qyteti i Vlorës, ku një biznes ka rënë pre e një vjedhjeje vetëm dy orë pas ndërrimit të viteve, rreth orës 02:10 të mëngjesit.
Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, biznesi i përket babait të tij, ndërsa autori ka shfrytëzuar momentin kur qyteti ishte i qetë dhe shumica e qytetarëve po festonin ardhjen e Vitit të Ri në shtëpitë e tyre, për të kryer vjedhjen. Në video shihet qartë momenti kur personi, i veshur me kapuç dhe me veshje që sipas denoncuesit “të frikësojnë”, i afrohet derës hyrëse, provon disa herë dhe më pas e thyen derën për t’u futur brenda lokalit.
Në pamjet e brendshme, denoncuesi shoqëron videon me batuta dhe ironi, duke komentuar se hajduti “hiqte kapuçin si profesionist” dhe se për çudi e dinte saktësisht sirtarin ku ndodheshin paratë, të cilat i ka marrë nga kasa. Përveç shumës së parave, dëme materiale janë shkaktuar edhe në derën hyrëse të biznesit.
“Shikoni, data 1, ora 2 e natës, njerëzit kishin plane të tjera… por jo të gjithë,” dëgjohet të shprehet ai në video, duke ironizuar situatën, ndërsa shton se i vjen më shumë keq për derën e shkatërruar sesa për gjithçka tjetër.
Qytetari bën me dije se policia është njoftuar dhe po merret me procedurat e mëtejshme, ndërsa shpreson që autori të identifikohet dhe ngjarja të zbardhet.
Ngjarja ngre edhe një herë shqetësimin për sigurinë e bizneseve, sidomos gjatë festave, kur shumë persona ulin vigjilencën, ndërsa për disa të tjerë… Viti i Ri nis ndryshe.