Muaji dhjetor ka qenë padyshim në shenjën e Ernest Muçit, një nga legjionarët më të shquar shqiptarë. Ish-sulmuesi i Tiranës ka surprizuar të gjithë në Superligën Turke me performancat e tij të jashtëzakonshme dhe golat spektakolarë për klubin e tij të ri, Trabzonspor.
Gjatë muajit dhjetor, Muçi ka shënuar 4 gola, duke u renditur mes sulmuesve më të mirë të Europës sipas statistikave. Vetëm disa emra si Haaland i Manchester Cityt, Torres i Barcelonës, Ekitike i Liverpoolit dhe Harry Kane i Bayern Munich kanë shënuar më shumë, me nga 5 gola.
Megjithatë, sulmuesi kuqezi me 4 gola ndodhet në të njëjtin nivel me yje si Phil Foden i Manchester Cityt dhe superylli francez i Real Madridit, Kylian Mbappé, duke treguar se talenti shqiptar po lë gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare.