Viti i Ri 2026 ka nisur me stresin e përhershëm për drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët në rrugët e vendit. Radhë kilometrike, trafik i rënduar dhe pritje të gjata janë regjistruar gjatë ditës së sotme në aksin kombëtar Tiranë–Elbasan.
Siç shihet edhe nga pamjet, mjetet kanë krijuar një karvan të gjatë në segmentin e daljes nga qyteti i Elbasanit, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin. Situata ka sjellë vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve, ku për të përshkuar disa qindra metra janë dashur dhjetëra minuta pritje.
Sipas drejtuesve të automjeteve, shkaqet kryesore të trafikut lidhen me mungesën e infrastrukturës së përfunduar, punimet rrugore ende të papërmbyllura, pasivitetin e Policisë Rrugore, si dhe fluksin e shtuar të lëvizjeve për shkak të festave të fundvitit dhe kthimit të emigrantëve.
Probleme të ngjashme raportohen çdo ditë edhe në akset që lidhin Tiranën me Elbasanin, Librazhdin dhe Pogradecin, ku pavarësisht investimeve të shpallura në rrugë, qarkullimi mbetet i ngadalshëm dhe i vështirë.
Qytetarët shprehen se, edhe pse rruga e re ka shkurtuar distancën, në praktikë përshkimi i saj shpesh shoqërohet me pritje të gjata, ku për vetëm 500 metra nevojiten deri në gjysmë ore. Sipas tyre, kjo situatë nuk ndodh vetëm në ditë festash apo më 1 janar, por është një problem i përditshëm për ata që udhëtojnë drejt dhe nga kryeqyteti.