Enzo Maresca nuk është më trajner i Chelsea-t. Klubi londinez dhe tekniku italian kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen e bashkëpunimit, çka do të thotë se Maresca nuk do të ulet në stol në ndeshjen e ardhshme ndaj Manchester Cityt.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, sipas të cilit një deklaratë zyrtare nga klubi pritet në orët në vijim. Vendimi vjen pas tensioneve të forta të krijuara gjatë 24–48 orëve të fundit, të cilat kanë çuar në një prishje të plotë të marrëdhënies mes palëve, pa asnjë mundësi rikuperimi.
Përplasjet mes Marescas dhe drejtuesve të Chelsea-t kishin nisur të bëheshin të dukshme edhe më herët. Trajneri italian mungoi në konferencën për shtyp pas barazimit 2-2 ndaj Bournemouth, një mungesë që klubi e justifikoi zyrtarisht me arsye shëndetësore. Megjithatë, burime pranë klubit kanë bërë të ditur se bëhej fjalë për një vendim të qëllimshëm nga ana e trajnerit, si shenjë pakënaqësie ndaj situatës së krijuar.
Maresca kishte kërkuar kohë për të reflektuar mbi të ardhmen e tij në Stamford Bridge, por zhvillimet e fundit kanë përshpejtuar ndarjen. 45-vjeçari, i cili kishte nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me Chelsea-n në qershor 2024, kishte shprehur respekt për klubin dhe tifozët, por e konsideronte të vështirë pranimin e kushteve dhe kërkesave të vendosura nga drejtuesit, edhe për një trajner të nivelit të lartë.
Italiani shpresonte se fitimi i Conference League, Botërorit të Klubeve të FIFA-s dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar do t’i hapnin rrugë ndërtimit të një projekti afatgjatë. Megjithatë, marrëdhënia me drejtuesit u përkeqësua ndjeshëm gjatë muajve të fundit.
Deklarata e tij e bujshme se kishte kaluar “48 orët më të këqija të karrierës” përpara fitores ndaj Evertonit tashmë shihet si kulmi i një pakënaqësie të akumuluar prej javësh.
Pas largimit të Marescas, Chelsea pritet të nisë menjëherë kërkimet për një trajner të ri. Sipas Fabrizio Romanos, emërimi i pasuesit nuk do të vonojë, pasi klubi ka filluar tashmë punën për zgjedhjen e teknikut të ardhshëm.