Dikur, nata e ndërrimit të viteve ishte më shumë se një festë. Familjet mblidheshin së bashku, fëmijët qeshnin me padurim për fishekzjarrët, ndërsa era e gjalpit dhe e bakllavasë mbushte çdo shtëpi. Çdo detaj i tryezës festive përjetohej me dashuri, dhe kartolinat e shkruara me dorë bartnin emocion, kujtime dhe lidhje të veçanta që sot nuk mund t’i zëvendësojë asnjë mesazh “forward”.
Sot, fëmijët dhe të rinjtë shpesh janë larg, jashtë vendit, për shkak të mundësive të pakta ekonomike. Çmimet e larta dhe mungesa e perspektivës e kanë kthyer festën në një traditë të zbrazët. Darkat e shtrenjta në restorante dhe ëmbëlsirat e gatshme nuk mund të sjellin dot ngrohtësinë e shtëpisë dhe gëzimin e vërtetë të bashkimit familjar.
Çdo vit, nata e ndërrimit të viteve duket më e largët dhe më e ftohtë. Nuk ka më gëzim të sinqertë, nuk ka buzëqeshje si dikur, nuk ka pritje emocionuese për një fishekzjarr. Dikur, edhe me pak mund të ishim më të lumtur, sepse përpiqeshim të mbushnim zemrat me emocion, dashuri dhe pritje të ngrohta.
Dhe ndoshta pyetja që duhet t’i bëjmë vetes këtë Vit të Ri është: Çfarë ka ndikuar që kjo natë të humbasë ngrohtësinë, gëzimin dhe emocionin që dikur e bënte kaq të veçantë? Mos vallë lumturia varet kur njeriu nuk ka pasuri ama përpiqet të mbushë zemrën me emocione të vërteta dhe jo fasadë? A mund të rikthejmë shpirtin e vërtetë të festës, atë që nuk ka të bëjë me luks, por me dashurinë dhe përpjekjen për të mbushur zemrat me gëzim?