Ndërsa edhe pak minuta na ndajnë nga mesnata dhe Shqipëria është vetëm një hap larg Vitit të Ri 2026, shumica prej nesh jemi ulur pranë tryezave festive, me njerëzit e zemrës.
Por ka mijëra shqiptarë që sonte nuk e kanë mundësinë e kësaj ngrohtësie. Për ta, “shtëpia” e kësaj nate është vendi i punës, nën dritat e ftohta të spitaleve, reparteve, burgjeve apo rrugëve të zbrazura.
Ky postim është për mjekët dhe infermierët në gatishmëri, për policët në patrullë, zjarrfikësit, ushtarakët, punonjësit e sistemit të burgjeve, elektriçistët dhe çdo punonjës tjetër që nata e ndërrimit të viteve i gjen në krye të detyrës.
Ata lanë pas ngrohtësinë e familjes, përqafimet e fëmijëve dhe prindërve, që çdo vatër tjetër shqiptare të festojë e sigurt.
Edhe pse sakrifica e tyre shpesh mbetet në hije, sonte zëri ynë i përbashkët është falënderimi më i madh për ta.
Mirënjohja jonë u takon juve: Faleminderit që jeni në detyrë për ne!
Gëzuar Vitin e Ri 2026 edhe për ju, heronjtë tanë të heshtur!
U kthefshi shëndoshë e mirë pranë njerëzve tuaj sapo të përfundoni turnin. ❤🙏
Një respekt i veçantë shkon edhe për elektriçistin e quajtur Deda, personi që shihni në këtë foto, i cili ndodhet mbi shtyllë në mes të errësirës dhe të ftohtit për të riparuar defektin që ka lënë zonën e Paskuqanit pa energji elektrike në këtë natë të ndërrimit të viteve.