Nga 2026 pa roaming në BE: Shqiptarët do përdorin telefonin si në shtëpi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 31.12.2025, 16:17

Shqipëria po përgatitet për heqjen e tarifave roaming me vendet e Bashkimit Europian, duke i hapur rrugë zbatimit të regjimit “Roaming Like At Home” brenda vitit 2026.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur për konsultim publik ndryshime në ligjin “Për Komunikimet Elektronike”, të cilat synojnë përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së në fushën e komunikimeve elektronike. Sipas projektligjit, qytetarët shqiptarë do të mund të përdorin minutat, mesazhet dhe internetin celular në vendet e BE-së pa asnjë kosto shtesë, njësoj si brenda territorit të Shqipërisë. I njëjti rregull do të zbatohet edhe për qytetarët e BE-së që vizitojnë vendin tonë.

Për të garantuar që përfitimi të reflektohet realisht te përdoruesit, ligji parashikon uljen e kostove teknike mes operatorëve dhe vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës. Risi e rëndësishme janë edhe gjobat për operatorët telefonikë që nuk do të zbatojnë rregullat e reja të roaming-ut.

Kjo nismë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në tregun unik digjital të Bashkimit Europian, duke lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, turizmin dhe aktivitetin e bizneseve ndërkufitare.

Më herët, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar heqjen e tarifave roaming për telefoninë celulare si një hap domethënës në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit