Nga kartolinat plot emocione, te fasada digjitale! Urimet e Vitit të Ri sot pa ndjesi

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 31.12.2025, 13:10

Fryu era që përjashta

Tundi perdet e mëndafshta

Mos kujto se të harrova

kartolinën ta dërgova

Pjatat me meze

Gotat me raki

Ju uroj nga zemra

Gëzuar Vitin e Ri

Këto janë vargjet nostalgjike, që të kujtojnë fëmijërinë dhe emocionin e vërtetë, por që sot janë zëvëndësuar nga urimet fasadë.

Dikur kartolinat ishin mbretëreshat e padiskutueshme të urimeve të fundvitit. Në prag të Vitit të Ri, kioskat dhe libraritë mbusheshin me njerëz që ndalonin me ngut për të zgjedhur një kartolinë të veçantë peizazhe të mbuluara me borë, pamje qytetesh, motive tradicionale apo simbole të kohës. Kartolina nuk ishte thjesht një copë letre, por një shenjë kujtese, një ndalesë e vogël emocionale mes nxitimit të ditëve të fundit të vitit.

Shkrimi i urimit ishte ritual më vete. Fjalët zgjidheshin me kujdes, shpesh shoqëroheshin me vargje të thjeshta, të krijuara posaçërisht për atë kartolinë. Urohej shëndet, gëzim, mbarësi; përmendej familja, miqësia, largësia. Çdo rresht mbante gjurmën e dorës dhe mendimit, çdo gabim i vogël e bënte urimin edhe më njerëzor, më të ndjerë.

Sot, kjo skenë nostalgjike duket se i përket një kohe tjetër. Urimet e Vitit të Ri udhëtojnë me shpejtësinë e një klikimi, shpesh të njëjta për të gjithë, të dërguara me “forward” në çaste simbolike. Mesazhe të gatshme, të krijuara nga teknologjia, qarkullojnë pa ndalesë, pa peshë emocionale, pa ndjesinë e pritjes apo të surprizës. Urimi bëhet formalitet, fasadë digjitale që plotëson një zakon, por rrallë prek.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit