“Tubi i çarë që la Vlorën pa ujë u dëmtua në kantierin e biznesmenit Arben Avduli”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.12.2025, 20:52

Sot bëhen pesë ditë që qyteti i Vlorës përballet me mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa pavarësisht deklaratave zyrtare se furnizimi ka nisur të rikthehet, dhjetëra qytetarë kanë kontaktuar redaksinë e JOQ Albania duke raportuar se shumë zona vijojnë të jenë pa ujë.

Qytetarë të tjerë kanë dërguar pamje ku uji që ka ardhur në rubineta është i turbullt, me ngjyrë dhe me aromë të rëndë, duke theksuar se ai nuk është i konsumueshëm dhe paraqet rrezik për shëndetin.

Në këtë situatë, një qytetare ka ngritur dyshime serioze mbi shkakun real të dëmtimit të tubacionit kryesor, i cili la Vlorën pa ujë për ditë të tëra. Në një video të mbërritur në redaksinë tonë, ajo ka shkuar vetë në vendin ku është çarë tubi dhe ka filmuar zonën përreth.

Sipas saj, dëmtimi ka ndodhur brenda një kantieri ndërtimi, që ajo e identifikon si kantier të biznesmenit Arben Avduli. Qytetarja vë në dyshim deklaratën e kryetares së Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, e cila një ditë më parë e cilësoi ngjarjen si “fatkeqësi natyrore”.

“Nuk ka asnjë shenjë shkarjeje dherash këtu. Muri është në rregull. Pas murit është kanal. Nga kanë ardhur dherat? Si ka mundësi që shkarja të ketë ndodhur brenda kantierit? Ky është kantieri i Arben Avdulit”, shprehet ajo në video, duke ngritur pikëpyetje mbi versionin zyrtar.

Edhe një tjetër qytetar i është drejtuar redaksisë sonë, duke pretenduar se dëmtimi i tubacionit ndodhet brenda të njëjtit kantier ndërtimi dhe se, sipas tij, askush nuk po flet publikisht për këtë çështje për shkak të lidhjeve politike që ai pretendon se ka biznesmeni në fjalë ka me Partinë Socialiste.

Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, në një deklaratë për mediat, u shpreh se problemi nuk është në përgjegjësi të bashkisë dhe se dëmtimi i tubacionit ishte pasojë e një “fatkeqësie natyrore”.

“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, por të japim zgjidhjen”, deklaroi ajo, duke shtuar se pjesët rezervë po vinin nga Turqia dhe se po aplikohej një zgjidhje e përkohshme me furnizim të pjesshëm dhe shpërndarje uji përmes autobotëve.

Megjithatë, pesë ditë pa ujë në festat e fundvitit dhe raportimet e shumta nga qytetarët për mungesë totale ose ujë të papijshëm, kanë shtuar indinjatën dhe dyshimet në qytet.

Sa i përket biznesmenit Arben Avduli, ai njihet si pronar dhe administrator i kompanisë së ndërtimit “Avduli shpk”, e cila ka përfituar miliona euro nga tendera publikë ndër vite. Çdo lidhje mes aktivitetit të kësaj kompanie dhe dëmtimit të tubacionit mbetet, në këtë fazë, për t’u verifikuar nga institucionet përgjegjëse.

Redaksia e JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve që të sqarojnë publikisht dhe me transparencë të plotë shkakun real të dëmtimit të tubacionit, si dhe të garantojnë furnizim të sigurt dhe të pijshëm me ujë për qytetarët e Vlorës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit