Një sipërfaqe prej 101.200 metrash katrorë në Gjirin e Llamanit, një nga zonat më të bukura dhe të paprekura të bregdetit Jon, pritet të shndërrohet në resort luksoz, pas miratimit të një leje zhvillimi të konsideruar nga kritikët si tepër e dyshimtë. Projekti po zhvillohet nga biznesmenët Arben Muçobega dhe Redjan Basha, ndërsa leja është firmosur nga ish-ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Zona në fjalë është kryesisht shkëmbore, me pjerrësi të madhe drejt detit, dhe normalisht nuk duhet të kishte status prone private. Megjithatë, përmes dokumenteve të përgatitura me shpejtësi, sipërfaqja është trajtuar si “pikë e vogël” zhvillimi, pavarësisht se bëhet fjalë për mbi 10 hektarë tokë në vijë bregdetare.
Prej vitesh, Arben Muçobega ka shfrytëzuar Gjirin e Llamanit përmes lokaleve dhe restoranteve luksoze, duke marrë leje të njëpasnjëshme për plazhin dhe struktura të përkohshme. Paralelisht, ai ka publikuar projekte që synojnë kthimin e gjithë gjirit në një resort privat, pa dalje reale në det për qytetarët.
Sipas dokumenteve zyrtare, qeveria ka miratuar projektin “Amantes”, një resort multifunksional me hotel, vila, apartamente dhe shërbime, që do të ndërtohet nga shoqëritë “Capital B”, në pronësi të Redjan Bashës, dhe “Bega 07”, në pronësi të Arben Muçobegës. Ky i fundit është përmendur shpesh në akuzat e opozitës për lidhje të dyshimta me politikën dhe interesa të errëta ekonomike.
Në lejen e zhvillimit thuhet se projekti është vlerësuar nga pikëpamja strategjike, mjedisore dhe ekonomike, duke premtuar respektim të natyrës dhe integrim të arkitekturës me peizazhin. Në praktikë, projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me 5 yje, rreth 50 vila, struktura akomoduese dhe zona komerciale në një kodër që zbret drejt detit.
Dokumentet pranojnë se të gjitha ndërtimet ekzistuese në zonë janë bërë pas vitit 2000 dhe se më herët e gjithë vija bregdetare ka qenë e paprekur. Megjithatë, Gjiri i Llamanit sot konsiderohet de facto nën kontrollin e Muçobegës, i cili merr leje nga institucionet shtetërore dhe, sipas burimeve, i transferon apo i shfrytëzon ato për interesa të tjera biznesi.
Vendimi për këtë zhvillim lidhet drejtpërdrejt me një tjetër akt të diskutueshëm të qeverisë në korrik 2022, kur u shpall Parku Natyror Detar-Bregdetar i Porto Palermos, por u la jashtë zonës së mbrojtur pjesa më e madhe e territorit tokësor, përfshirë Gjirin e Llamanit. Ky përjashtim hapi rrugën për ndërtimet masive dhe betonizimin e zonës.
Sipas burimeve, edhe studimi fillestar i Ministrisë së Mjedisit e përfshinte Llamanin brenda parkut, por më pas kjo zonë, së bashku me ish-bazën ushtarake të Porto Palermos, u hoq nga mbrojtja ligjore. Një skemë e ngjashme është përdorur edhe në zona të tjera strategjike, disa prej të cilave janë tashmë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Vendimi i firmosur nga Mirela Kumbaro për Gjirin e Llamanit po cilësohet si një tjetër precedent i rrezikshëm i tjetërsimit të pasurive natyrore dhe hapjes së rrugës për betonizimin e bregdetit jugor, duke ngritur pikëpyetje nëse edhe ky rast do të përfundojë nën lupën e drejtësisë.