Festa e PS në Tiranë nxjerr përçarjet: “Senatorët” socialistë që munguan në koktejin e Ramës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.12.2025, 19:38

Edhe pse Kryeministri Edi Rama vijon të theksojë forcën numerike të mazhorancës me 83 mandate në Kuvend, zhvillimet brenda Partisë Socialiste tregojnë se klima e brendshme nuk është aspak e qetë. Një tjetër sinjal i distancimit të disa figurave të rëndësishme socialiste erdhi nga festa e fundvitit e PS-së së Tiranës, e organizuar mbrëmjen e së hënës në Pallatin e Brigadave.

Në aktivitetin ku ishte i pranishëm vetë Kryeministri, u vunë re mungesa të konsiderueshme të disa emrave me peshë politike, të konsideruar prej vitesh si “senatorë” të Partisë Socialiste, si në periudhën e drejtimit nga Fatos Nano, ashtu edhe nën lidershipin e Edi Ramës.

Sipas raportimeve, në festë nuk mori pjesë ish-Kryeministri Pandeli Majko, i cili në zgjedhjet e 11 majit mbeti jashtë Kuvendit pasi garoi në listat e hapura të PS-së në Tiranë. Po ashtu mungonin edhe ish-deputetet Mimi Kodheli dhe Ermonela Felaj, të cilat nuk arritën të siguronin mandat deputeti në të njëjtat zgjedhje.

Në listën e mungesave përfshihet edhe Arben Pëllumbi, ish-Sekretar Organizativ i PS-së, i cili gjithashtu mbeti jashtë Parlamentit pas zgjedhjeve të 11 majit. Ndërkohë, surprizë për shumëkënd ishte edhe mungesa e dy deputetëve aktualë, Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe.

Ndryshe nga këto mungesa, në festë ishin të pranishëm ministra dhe figura të tjera të kabinetit qeveritar. Vëmendje të veçantë mori Ogerta Manastirliu, e konsideruar nga Rama si kandidate për Bashkinë e Tiranës, e cila u shfaq edhe në pritjen e Kryeministrit, sipas videos së publikuar prej tij në rrjetet sociale.

Në mesazhin që shoqëronte pamjet nga festa, Rama u shpreh mirënjohës për anëtarët dhe aktivistët e PS-së, duke theksuar besimin në forcën e partisë për të ecur përpara. Megjithatë, mungesat e përsëritura në aktivitete të tilla ngrenë pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një distancim të qëllimshëm të disa figurave historike të PS-së, apo për një lënie në harresë nga organizatorët e aktivitetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit