Një banor i fshatit Qerekë në Fushë-Krujë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar ndërprerjet e shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike, problematikë që sipas tij po përsëritet çdo ditë prej kohësh dhe ka lënë banorët pa kushte minimale jetese.
Sipas denoncimit, zona ka mbetur pa energji elektrike për tre ditë radhazi, ndërsa ndërprerjet ndodhin çdo ditë në të njëjtin orar, pa ndonjë njoftim apo shpjegim zyrtar për ndonjë defekt teknik.
Qytetari shprehet se energjia ndërpritet zakonisht rreth orës 09:00 të mëngjesit, rikthehet për pak kohë dhe më pas fiket sërish, ndërsa në orën 17:30 dritat ndërpriten përsëri dhe rikthehen vetëm në orët e mbrëmjes, rreth 19:00–20:00.
Ai thekson se situata po u shkakton vështirësi serioze banorëve, të cilët nuk kanë mundësi as për furnizim me ujë, pasi gjithçka funksionon me energji elektrike.
Në denoncimin e tij, qytetari paraqet edhe dyshime personale, të cilat i thekson si të pabazuara në prova zyrtare, se energjia po ndërpritet qëllimisht dhe, sipas informacioneve që ai pretendon se disponon, mund të jetë duke u shitur drejt Greqisë.
Redaksia e JOQ Albania thekson se këto janë pretendime të qytetarit dhe jo fakte të konfirmuara, ndërsa u bën thirrje institucioneve përkatëse që të sqarojnë publikisht arsyet e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike në këtë zonë dhe të garantojnë furnizim normal për banorët.
Nëse edhe banorë të tjerë të zonës apo të rajoneve përreth po përballen me problematika të ngjashme, mund t’i denoncojnë pranë redaksisë sonë.