Një tjetër tender me vlerë marramendëse ka përfunduar në duart e kompanisë private “Mektrin Motors Sh.p.k.”, në pronësi të familjes së kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako, duke shtuar dyshimet për klientelizëm dhe lidhje të forta politike në shpërndarjen e parave publike.
Sipas Buletinit të Prokurimeve Publike të datës 29 dhjetor 2025, vetëm dy ditë para ndërrimit të viteve, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “Blerje autoambulancash me sisteme, pajisje dhe aparatura për shërbimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore”. Vlera e kontratës arrin në 1 miliard e 542 milionë lekë me TVSH.

Tenderi është firmosur nga drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Arlinda Pogaj, emër i njohur në administratë dhe në radhët e PS-së si person shumë pranë ministrit Blendi Gonxhe. Pikërisht kjo afërsi ka nxitur kritika dhe dyshime mbi mënyrën se si janë ndarë fondet publike, në favor të kompanisë së lidhur me kryebashkiaken e Durrësit.
Edhe pse Arlinda Pogaj, si drejtoreshë e autoritetit që menaxhon tenderët qendrorë, është në vartësi formale të Ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo është shfaqur publikisht në evente informale të organizuara nga ministri Blendi Gonxhe. Në veçanti, prania e saj në Mbrëmjen Gala të fundvitit, e organizuar nga Gonxhe me stafin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, ka tërhequr vëmendje, ku Pogaj u komentua si “balerina” e mbrëmjes për performancën e saj në pistë.
Sipas burimeve, Arlinda Pogaj konsiderohet e ftuar personale e Blendi Gonxhes, i cili e ka pasur pranë në disa poste kyçe ndër vite: në Bashkinë e Tiranës, Drejtorinë e Parqeve, Drejtorinë e Transportit Rrugor, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe në udhëtime e aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkohë që institucionet flasin për transparencë dhe konkurrencë të ndershme, tenderi 1.5 miliardë lekësh për autoambulancat shton listën e kontratave publike që përfundojnë te të njëjtat kompani, të lidhura ngushtë me pushtetin vendor dhe qendror, duke lënë pas një re të dendur dyshimesh mbi mënyrën se si menaxhohen paratë e taksapaguesve.