Kina ka zhvilluar këtë javë stërvitjen më të gjerë ushtarake të regjistruar ndonjëherë rreth Tajvanit, duke rrethuar ishullin me forca detare dhe ajrore, duke lëshuar raketa në ujërat përreth dhe duke simuluar një bllokadë të plotë ushtarake.
Gjatë ushtrimeve, të quajtura “Justice Mission 2025”, Komanda Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore kreu për rreth 10 orë ushtrime me zjarr real, duke lëshuar raketa në veri dhe jug të Tajvanit. Njësi detare dhe ajrore kineze simuluan goditje ndaj objektivave detare dhe ajrore, si edhe operacione kundër-nëndetëseje.
Për herë të parë, Pekini deklaroi hapur se stërvitjet synojnë të pengojnë çdo ndërhyrje të jashtme, përfshirë SHBA-në dhe aleatët e saj. Zyra Kineze për Çështjet e Tajvanit paralajmëroi se çdo forcë e jashtme që ndërhyn do të “përplaset me muret e hekurt të ushtrisë kineze”.
Stërvitjet nisën 11 ditë pasi SHBA njoftoi një paketë rekord armësh prej 11.1 miliardë dollarësh për Tajvanin, vendim që ka irrituar ashpër Pekinin. Mediat shtetërore kineze publikuan pamje propagandistike, duke theksuar epërsinë teknologjike dhe ushtarake të Kinës dhe aftësinë për ta marrë Tajvanin me forcë nëse do të jetë e nevojshme.
Autoritetet tajvaneze raportuan se të martën rreth ishullit po operonin 71 avionë ushtarakë kinezë dhe 24 anije luftarake dhe të rojës bregdetare. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit, Kina ka lëshuar gjithsej 27 raketa në ujërat përreth ishullit.
Një zyrtar i lartë i sigurisë në Tajvan deklaroi se ushtria kineze duket se po simulon goditje ndaj objektivave tokësore, përfshirë sistemet raketore amerikane HIMARS që Tajvani ka blerë së fundmi. Ndërkohë, presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, tha se trupat janë të gatshme për mbrojtje, por theksoi se Tajpej nuk synon përshkallëzim të situatës.
Ushtrimet e kësaj jave janë raundi i gjashtë i madh i stërvitjeve që nga viti 2022 dhe konsiderohen më të gjërat për nga shtrirja dhe më të afërtat ndonjëherë me territorin tajvanez.
Një raport i fundit i Pentagonit vlerëson se Kina po përgatitet të jetë gati ushtarakisht për të fituar një konflikt për Tajvanin deri në vitin 2027, në 100-vjetorin e krijimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.