Një nënë e cila aktualisht është me leje lindjeje i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar vonesën e gjatë në pagesën që i takon ligjërisht nga sigurimet shoqërore, duke theksuar se prej katër muajsh nuk ka marrë asnjë pagesë.
Ajo shprehet se ndërkohë fëmija rritet çdo ditë dhe ka nevoja bazë për ushqim dhe kujdes, mungesa e pagesës e ka vënë familjen e saj në vështirësi serioze ekonomike. Ajo thotë se fëmija duhet të rritet duke i plotësuar të gjitha kërkesat që ka nevojë, por në një situatë të tillë kush mban përgjegjësi?
Sipas qytetares, kompania ku ajo është e punësuar i ka dorëzuar të gjitha raportet përkatëse dhe dokumentacioni rezulton i ngarkuar rregullisht edhe në platformën e-Albania, fakt që ajo thotë se mund ta vërtetojë edhe me pamje.
Megjithatë, pavarësisht pritjes së gjatë dhe afrimit të fundvitit, nga institucionet përgjegjëse nuk ka pasur asnjë reagim apo lëvizje konkrete. Qytetarja kërkon përgjigje dhe zgjidhje nga sigurimet shoqërore, duke theksuar se bëhet fjalë për një të drejtë ligjore dhe për mirëqenien e një foshnje.
Denoncimi i qytetares:
Kam 4 muaj që nuk kam marrë pagesën që më takon ligjërisht nga sigurimet shoqërore, ndonëse jam ende me lejen e lindjes. Ndërkohë fëmija im rritet çdo ditë dhe ka nevoja bazë për ushqim, kujdes . Me çfarë duhet të rritet ky fëmijë? Kush mban përgjegjësi për këtë situatë? Prit e ska as tani per fund vit nuk po bejne asnje levizje. Po kompania i ka kaluar te gjitha raportet i kam edhe me foto nga ealbania Po lek nuk po shikojm ngelem duke kontrolluar llogarin bankare po akoma esht 0
