Abuzimet në krye të detyrës, pas shumë denoncimeve shkarkohet Skerdi Drenova i UKT

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.12.2025, 14:37

Kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, është shkarkuar nga detyra pas një vale të gjatë problemesh serioze dhe të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet. Ky vendim vjen si pasojë e ankesave të panumërta të qytetarëve, të cilët prej muajsh kanë denoncuar mungesën e ujit në banesat e tyre.

Problematika është bërë gjithnjë e më alarmante me kalimin e kohës dhe, sipas dhjetëra denoncimeve të publikuara në JOQ, situata jo vetëm që nuk është përmirësuar, por në shumë zona është përkeqësuar ndjeshëm. Qytetarët kanë raportuar vazhdimisht se mungesa e ujit ka vijuar edhe gjatë dimrit ku qytetarët janë përallur me mungesë uji prej ditësh të tëra, në një periudhë kur vendi ka pasur reshje të bollshme shiu, fakt që ka ngritur dyshime të forta mbi menaxhimin e burimeve ujore.

Denoncimet kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit me ujë për Tiranën, ka qenë i mbushur dhe pa probleme të dukshme në kapacitet, çka e bën edhe më të pashpjegueshme krizën e ujit në kryeqytet. Këto raportime publike kanë vënë në qendër të kritikave keqmenaxhimin dhe mungesën e transparencës nga ana e institucionit përgjegjës.

Përveç mungesës së ujit, një tjetër shqetësim madhor i denoncuar vazhdimisht në redaksinë tonë ka qenë gjendja e kanalizimeve në Tiranë, ku shpërthimet e tyre kanë shkaktuar probleme serioze për qytetarët, duke rrezikuar shëndetin dhe duke paralizuar zona të tëra të kryeqytetit.

Aktualisht, ende nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësojë Skerdi Drenovën në krye të UKT-së, ndërsa qytetarët presin që pas gjithë këtyre denoncimeve të vazhdueshme dhe presionit publik, të ketë më në fund një plan konkret dhe zgjidhje reale për krizën e ujit në Tiranë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit