Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta mbrojë drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçajan, e cila ndodhet në masë “arrest shtëpie” me vendim të SPAK për shkelje të barazisë në tendera, duke vënë theksin jo te akuzat, por te qiraja. Në konferencën e fundit për mediat, Rama theksoi se Karçajan jeton në një banesë me qira dhe se më parë ka banuar në shtëpinë e prindërve, një detaj që duket se, sipas tij, shërben si provë karakteri dhe integriteti.
Sipas Kryeministrit, fakti që drejtuesja e një institucioni kyç si AKSHI nuk ka shtëpi në pronësi është i mjaftueshëm për të rrëzuar dyshimet e SPAK. Rama deklaroi se Karçajan ka “respektin maksimal” të tij, se e njeh prej 20 vitesh dhe se është një figurë e njohur ndërkombëtarisht, duke lënë në plan të dytë hetimin penal dhe akuzat për tendera. Në këtë logjikë, duket se qiraja shndërrohet në argument mbrojtës më të fortë se çdo dokument hetimor.
“Kjo është pjesë e hetimeve. Nuk kam dijeni për këtë dhe nuk mund të bëj asnjë koment për gjysmë të vërtetat që dalin lart e poshtë. Është proces, do bëhen hetime. Në krye të skuadrës së AKSHIT është një grua që ka respektin e padiskutueshëm. Linda Karçajan, që ka një masë sigurie, me një shtëpi me qira ku jeton, pasi më parë jetonte në një shtëpi të postkomunizmit në banesën e prindërve të tij. E njoh prej 20 vitesh dhe ka respektimin tim. E njohur ndërkombëtarisht dhe ka respektim tim maksimal. Çfarë thoni ju sot, bazuar në copëza të nxjerra rrugëve nga ata që duhet të ruajnë sekretin hetimor, nuk është e mjaftueshme për të dalë në përfundime për të fajësuar njerëzit. Nxirret një copë këtu dhe një copë atje, ushqehet publiku për të dënuar në sytë e opinionit njerëz që kanë të drejtën që të prezumohen të pafajshëm. Degjenerohen në publik që; këta janë llum. Dalin dhe kapakët e tenxheret që marrin paga marramendëse të padeklaruara, dhe pastaj flasin për pensionistet. Unë thjesht dhe vetëm jam në dispozicionin tuaj që të më fusni në tenxhere. Por sa të më sulmoni, vetëm më forconi. Po të doni të më dëmtoni, mos më fusni në tenxhere, se më i fortë do jem", tha Rama