Një punonjës i Policisë së Shtetit, në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka denoncuar vonesat e pagave dhe detyrimeve financiare që u takojnë efektivëve në fundvit.
Sipas denoncimit, pavarësisht urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm që shpërblimet prej 30 mijë lekësh të kalojnë me fondet e vitit 2025, si dhe pagesës së orëve suplementare për muajt gusht dhe shtator, këto detyrime nuk janë ekzekutuar.
Punonjësi shprehet se nga Shefja e Financës janë dhënë justifikime kontradiktore, fillimisht duke deklaruar mungesë fondesh, e më pas duke u justifikuar me probleme të sistemit, çka sipas tij tregon një menaxhim të paqartë dhe abuzues të fondeve.
Përveç pagës mujore, efektivët nuk kanë marrë as orët suplementare për gusht–shtator, as fondin e veshjes që zakonisht jepet në fundvit, si dhe as shpërblimet përkatëse.
Ndërkohë me të njëjtën problematikë përballen edhe efektivët e Drejtorisë Vendore në Policinë e Korçës të cilët shprehen se ende nuk kanë marrë pagat për largësinë, veshjet apo shpërblimet.
Denoncimi i policit:
'Pershendetje JoQ ! Jam një punonjës policie, në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dhe dua të ngre si shqetësim pagesat që ne na takojnë tani në fundvit, ku pavarësisht urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm që "Shpërblimet prej 30.000 lekësh, të jepen me fondin e 2025", si dhe orët suplementare per muajit Gusht-Shtator 2025, nga ana e Shefes së Financës njëherë thuhet "Ska fonde", me pas e ndërron justifikimin duke thënë "ka probleme sistemi ndaj s'po i kalojmë". Përveç rrogës këtë muaj skanë kaluar as orë suplementare Gusht-Shtator, as lekë veshjes (që merren në fundvit), as shpërblimet. Pse ky menaxhim fondesh ? Spo dim ku të ngrem shqetësimin për këto të drejta që na takojnë. Anonim ju lutem'.
Denoncimi 2:
Pershendetje, Une jam nje oficer policie i Drejtorise Vendor Korce. Marr shkas t’ju shkruaj pas shqetesimit te ngritur nga kolegu yne punonjes policie i Drejtorise Tirane. E njejta gje ndodhe me trajtimin financiar edhe ne Drejtorine Korce. Akoma nuk jane hedhur pagesat per largesine, per uniformat dhe as shperblimi (i cili u urdherua nga Drejtori i Pergjithshem). Faleminderit.