Defekti në tubacionin kryesor që furnizon me ujë qytetin e Vlorës është riparuar pas një avarie që la pa furnizim me ujë banorët për rreth pesë ditë.
Kështu ka njoftuar ditën e sotme Ujësjellës Kanalizime Vlorë duke deklaruar se pas mbërritjes së pajisjeve hidraulike nga Turqia, gjatë orëve të pasmesnatës, punonjësit kanë realizuar montimin e tubit kryesor dhe që prej orës 04:00 të mëngjesit ka nisur mbushja e depove me ujë.
Megjithatë, banorët e Vlorës raportojnë se uji ende nuk ka mbërritur në banesat e tyre dhe rubinetat vijojnë të jenë bosh. Një qytetar, pronar i një berberhane, ka treguar përmes pamjeve se nga rubineti nuk rrjedh ujë, përveç sasisë së vogël të mbetur në tubacione.
Banorët shprehen të shqetësuar dhe presin rikthimin e plotë të furnizimit me ujë sa më parë pasi nuk mund të rrinë edhe 5 ditë të tjera pa u larë dhe pa kryer nevojat e tyre që bazë kanë ujin.