Personat me autizëm, invalidët dhe familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike janë ende pa asnjë shpërblim

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.12.2025, 12:26

Qytetarë nga Durrësi dhe Fieri i janë drejtuar sërish redaksisë sonë për të shprehur një shqetësim që, pavarësisht se është raportuar disa herë më parë, vazhdon ende të mos marrë një zgjidhje konkrete nga institucionet përkatëse.

Sot është data 30 dhjetor dhe na ndan vetëm një ditë nga mbrëmja e ndërrimit të viteve, ndërkohë që bonusi i fundvitit për personat me autizëm, invalidët dhe kategori të tjera që përfitojnë ndihmë ekonomike ende nuk është shpërndarë. Kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe vështirësi për shumë familje, të cilat mbështeten tek këto pagesa për të përballuar shpenzimet e festave të fundvitit.

Qytetarët shprehen se vonesa është e pakuptueshme, veçanërisht duke pasur parasysh rëndësinë sociale të këtij bonusi, i cili synon të mbështesë shtresat më në nevojë gjatë kësaj periudhe festive. Ata kërkojnë më shumë transparencë, informacion të saktë dhe shpjegime zyrtare nga institucionet përgjegjëse për arsyet e kësaj vonese, si dhe një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës.

Sipas tyre, mungesa e reagimit dhe e komunikimit institucional vetëm sa shton pakënaqësinë dhe ndjesinë e neglizhencës ndaj kategorive më vulnerabël të shoqërisë.

Denoncimi 1:

Jam një qytetar nga Durrësi dhe dua të ngre shqetësimin pse nuk u dha bonusi i fundvitit për invalidët. Pse mashtrohet kjo shtresë? A mundeni ju, si media, të investigoni këtë shqetësim? Ju jeni e vetmja media që keni mbetur shpresë për Shqipërinë. Ju lutem, merreni këtë çështje dhe investigojeni. Flm.

Denoncimi 2:

Përshëndetje, jam një banor i Durrësit. Na u tha që për të sëmurët me probleme të veçanta do të jepej bonusi i fundvitit, por asgjë prej gjëje. Një mashtrim i madh!

Denoncimi 3:

Përshëndetje JOQ, desha të flas për shpërblimin e ndihmës ekonomike. Akoma nuk kanë dalë, nuk e di domethënë a janë duke na rrejtuar për ditë. A mund ta postoni këtë SMS që ta dimë nëse dalin apo jo, sepse ne ato lekë po presim. Faleminderit.

Denoncimi 4:

Përshëndetje JOQ, jam një banor nga Fieri (Topoja) dhe doja të shprehja një shqetësim lidhur me pagat dhe shpërblimet e invalidëve. Deri tani nuk janë marrë akoma pagat e KEMP-it, gjë e cila duhet të kishte përfunduar prej ditësh. Thuhet që edhe shpërblimi mund të jetë 50 mijë lekë të vjetra, sepse aq e miraton bashkia, ndërkohë që qeveria ka premtuar 150. Njerëzit janë mbledhur në pikat ku bëhet shpërndarja, duke krijuar edhe agresivitet. Imagjinoni, nuk kemi lekë të blejmë ilaçet e jo më të festojmë nesër. Ju lutem, bëni diçka ju të paktën, mbase do na ndihmojë publikimi juaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit