Skandal në Urgjencën e Lushnjës/ Qytetari filmon ambientet bosh: Kemi të sëmurë, s’ka asnjë mjek!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.12.2025, 01:21

Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar i Lushnjës, i cili ka raportuar një situatë alarmante në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Lushnjës, ku sipas tij, në një moment urgjent nuk ndodhej asnjë mjek apo infermier në shërbim.

Qytetari ka dërguar edhe pamje video, të filmuara nga brenda urgjencës, ku shihet teksa troket në disa dyer dhe konstaton se ambientet janë bosh. Në video ai shprehet:

“Jemi në urgjencën e Lushnjës dhe nuk ndodhet asnjë këtu. Kemi një njeri të sëmurë. Asnjë njeri nuk ndodhet, të gjitha dhomat janë bosh. Shikojeni, trokasim nëpër dhoma, asnjëri nuk ndodhet. Çfarë mund të bëjmë tani? Ju lutem ma shpërndani.”

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, kur ai është paraqitur në spital për një rast urgjent dhe nuk ka gjetur asnjë personel mjekësor në urgjencë.

“E kam filmuar sot. Pata një rast urgjence dhe shkova në spitalin e Lushnjës, por nuk kishte asnjë mjek,” – shprehet qytetari për JOQ Albania.

Ai shton se shërbimin mjekësor e ka marrë vetëm pas rreth një ore pritjeje, duke theksuar se situata mund të kishte pasur pasoja shumë të rënda nëse do të bëhej fjalë për një rast kritik.

“Nëse do të ishte një rast që rrezikonte jetën, minuta të tëra bëjnë diferencën. Këtu pritëm rreth një orë derisa të vinte një mjek,” – thekson ai.

Ky denoncim ngre shqetësime serioze për funksionimin e shërbimit të urgjencës, një strukturë që duhet të jetë 24 orë funksionale, pasi bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe raste ku ndërhyrja e menjëhershme është vendimtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit