Një qytetar nga Kamza i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të pazakontë dhe shqetësues, i cili ngre pikëpyetje serioze mbi sjelljen qytetare dhe respektin ndaj komunitetit.
Ai ka dërguar një video të kapur nga kamerat e sigurisë, ku shihet një zonjë që ndalon makinën, zbret së bashku me një fëmijë të vogël dhe shkon drejt portës së shtëpisë së tij, ku hedh mbeturinat, duke i lënë aty, sikur të ishte një kosh plehrash.
Sipas denoncuesit, ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se veprimi kryhet pa asnjë shqetësim, sikur të ishte diçka krejt normale, ndërkohë që koshat e mbeturinave ndodhen jo më shumë se 100 metra larg portës së banesës së tij.
“Dje, në orën 09:25, përpara shtëpisë sime, një zonjë ndaloi makinën, zbriti me fëmijën dhe hodhi mbeturina në rrugë, sikur të ishte kosh plehrash. Veprimi është i regjistruar me video. Turp që në vitin 2025 ende ka njerëz që nuk respektojnë as mjedisin, as komunitetin ku jetojnë”, shprehet qytetari.
Ai shton se mes mbeturinave kishte peceta të lagura dhe një qese, përmbajtja e së cilës nuk është hapur, por sipas tij dyshohet se ishte mbeturinë shtëpiake. Qytetari thekson se zonja duket se e ka vënë re kamerën e sigurisë, por pavarësisht kësaj, nuk ka shfaqur asnjë shqetësim dhe është larguar normalisht.
“Pse duhet t’i hidhte mbeturinat pikërisht te porta ime, kur pak më lart janë koshat e plehrave?” – pyet qytetari, duke kërkuar që këto sjellje të mos normalizohen.
Ky rast nuk është thjesht një akt papërgjegjshmërie individuale, por një pasqyrim i një mentaliteti që dëmton mjedisin dhe bashkëjetesën në komunitet. Respekti për hapësirën publike dhe private është detyrim minimal qytetar, jo zgjedhje personale.
JOQ Albania e publikon këtë denoncim për të sensibilizuar dhe për të nxitur reflektim, me shpresën se raste të tilla të mos përsëriten dhe të marrin vëmendjen që meritojnë.