Rusia ka pretenduar se një sulm me dronë nga Ukraina ka pasur si objektiv një nga rezidencat e presidentit Vladimir Putin, akuzë kjo që është mohuar menjëherë nga autoritetet ukrainase.
Sipas radios shtetërore ruse, ky pretendim i është përcjellë drejtpërdrejt presidentit amerikan Donald Trump gjatë një bisede telefonike nga vetë Putin, i cili e ka informuar atë se Moska po rishikon pozicionin e saj në bisedimet e paqes. Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, citohet të ketë thënë se Trump reagoi "i tronditur" nga ky informacion.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, specifikoi se incidenti ka ndodhur në rajonin e Novgorodit, pranë rezidencës së fortifikuar në Valdai. Ndonëse u konfirmua se Putin nuk ndodhej aty dhe nuk pati dëme, Lavrov paralajmëroi sulme hakmarrëse, duke shtuar se mbrojtja ajrore ruse asgjësoi 91 dronë gjatë operacionit.
Presidenti Volodymyr Zelensky e hodhi poshtë këtë version, duke e cilësuar si një "trillim të plotë" që synon të minojë diplomacinë. Ky reagim vjen vetëm një ditë pas takimit të tij maratonë me Trump në Florida, ku u diskutuan garancitë e sigurisë për Ukrainën. "Rusia po përdor deklarata të rrezikshme për të dëmtuar arritjet tona diplomatike," shkroi Zelensky në platformën X.
Pavarësisht tensioneve, Moska ka bërë me dije se nuk do të tërhiqet plotësisht nga procesi i negociatave, ndonëse e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt.