Defekti i ujësjellësit la pa ujë Vlorën, Rama: Fajin e kanë tubat e 2009-ës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 29.12.2025, 14:45

Ndërsa Vlora prej katër ditësh mbetet pa ujë dhe qytetarët protestojnë masivisht për një shërbim jetik, Kryeministri Edi Rama zgjodhi të reagojë jo duke pranuar përgjegjësi institucionale, por duke hapur arkivin e fajtorëve të vjetër. Sipas tij, shkaku i krizës lidhet me “pjesë hidraulike jashtë standardeve” të instaluara në vitet 2009–2010, një periudhë që duket se vazhdon të qeverisë edhe në vitin 2025.

Në vend të një sqarimi se pse një problem i tillë nuk u evidentua, monitorua apo parandalua gjatë viteve të fundit, Rama preferoi të na informojë për një udhëtim urgjent drejt Stambollit, sikur defekti i ujësjellësit të ishte një surprizë kozmike dhe jo përgjegjësi e një shteti që ka pasur mbi një dekadë kohë për mirëmbajtje.

Ironikisht, në mes të mungesës së ujit të pijshëm, Kryeministri gjeti kohë për metafora poetike, “minat e vjetra”, “kohët e zeza” dhe “syrin e keq”, duke e zhvendosur vëmendjen nga pyetja kryesore, kush mban përgjigje sot që një qytet turistik mbetet pa ujë?

Në këtë narrativë, përgjegjësia është gjithmonë e djeshmja, kurrë e sotmja. Faji është gjithmonë diku pas, ndërsa pushteti aktual shfaqet vetëm si shpëtimtar me valixhe pjesësh hidraulike në dorë. Vlonjatët, megjithatë, nuk protestuan kundër vitit 2010, por kundër realitetit të vitit 2025. Dhe uji nuk mungon për shkak të historisë, por për shkak të mungesës së llogaridhënies dhe mirëmbajtjes së rrjetit ujësjellës nga institucioni i këtyre 13 vite qeverisje të Partisë Socialiste!

Postimi i Ramës në rrjetin X:

Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer… Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën. Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit