Marjana Gjonaj, 42 vjeçe, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ajo është e dënuar nga drejtësia shqiptare për veprën penale të “mashtrimit” me pasoja të rënda, për të cilën Gjykata e Pogradecit ka dhënë në vitin 2019 një dënim me 7 vite burg.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ekstradimi i saj u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes Drejtorisë së Interpolit Shqipëri dhe homologëve në Spanjë dhe Gjermani. Procedurat u finalizuan në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Pas ekstradimit, 42-vjeçarja është dorëzuar pranë autoriteteve shqiptare për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata. Policia thekson se vijon puna për lokalizimin dhe kthimin në Shqipëri të personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.