Shpërthimi në një pallat në Shkodër, dyshohet atentat me tritol për gjakmarrje

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.12.2025, 14:10

Një 67-vjeçar, Hysni Ymeri, humbi jetën si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në hyrje të pallatit ku banonte, në lagjen “Manush Alimani”. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:10, në momentin kur viktima po dilte nga banesa.

Sipas raportimeve në media, burime nga grupi hetimor dyshojnë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga lëndë plasëse, konkretisht tritol. Ndërkohë, policia në një njoftim paraprak bëri me dije se shpërthimi dyshohet të ketë ardhur nga paneli i matësve të energjisë elektrike në hyrje të pallatit.

Ky version është kundërshtuar nga OSHEE, e cila në një reagim zyrtar mohoi që shkaku të ketë qenë kutia e matësve të energjisë, duke theksuar se sahatet elektrike nuk shpërthejnë, por në raste defekti mund të shkaktojnë zjarr. Ky reagim ka shtuar dyshimet për një atentat të mundshëm, ndërsa lënda plasëse dyshohet se mund të jetë vendosur pikërisht në zonën e matësve të energjisë.

Hysni Ymeri jetonte në katin e katërt të pallatit së bashku me bashkëshorten e tij, e cila në momentin e ngjarjes ndodhej në spital për shkak të gjendjes shëndetësore. Sipas raportimeve në media, grupi hetimor po heton edhe pistën e gjakmarrjes. Dyshohet se në vitin 1995, vëllai i viktimës ka qenë i përfshirë në një ngjarje kriminale në Shkodër, megjithëse ende nuk është e qartë nëse ajo ka qenë vrasje apo jo.

Njësia anti-eksploziv e nisur nga Tirana pritet të përcaktojë llojin e saktë të lëndës plasëse, si dhe nëse shpërthimi ka qenë i telekomanduar, pra i realizuar në distancë. Shpërthimi ka qenë tepër i fuqishëm, duke shkatërruar plotësisht kutinë e matësve të energjisë në hyrje të pallatit dhe duke dëmtuar pjesë metalike të shkallëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit