Një qytetar nga Berati denoncon për JOQ një problem që e ndjek prej vitesh, pasi një automjet i shitur me prokurë në fund të vitit 2014 rezulton ende në emrin e tij. Ai shprehet se makina është shitur nga kunati i tij në Kuçovë për shumën 1.700 euro, ndërsa blerësi, i cili dyshohet se është nga Fieri dhe banon në Tiranë, nuk ka kryer kalimin e pronësisë brenda afatit ligjor. Sipas qytetarit, noteria ku ishte bërë prokura i ka bërë me dije se dokumentacioni i asaj kohe nuk ruhet më.
I shqetësuar për detyrimet ligjore dhe financiare që mund të ketë ndaj shtetit, qytetari kërkon ndihmë për ta bërë rastin publik, me shpresën se blerësi ose persona që e njohin mund ta kontaktojnë për të zgjidhur çështjen. Ai thekson se automjeti, pavarësisht se janë ndërruar disa pjesë, mban ende targat në emrin e tij dhe kërkon që të kryhet sa më parë kalimi i dokumenteve, pasi pas festave do të largohet sërish për të jetuar në Greqi.
"Kam shitur një makinë me prokurë që ia kisha bërë kunatit, të rregullt nga noteria, fund vitit 2014, dhe jam larguar për në Greqi, se atje banoj. Bëra një verifikim vetë për të ditur nëse ajo makinë është apo jo akoma në rrugë dhe më doli ende në emrin tim. Vajta te noteria dhe më tha që deri në 10 vite i mbajmë dokumentet dhe letrën që na ka dhënë atëherë e kemi humbur. Më tha të gjej blerësin dhe t’i them. Unë nuk e njoh blerësin, di që është nga Fieri dhe banon në Tiranë. Unë jam nga Berati, makinën ia shiti kunati në Kuçovë me prokurën që i kisha bërë. Nuk kam vajtur akoma në polici. Makinën e ka blerë 1.700 €, nuk ma voli, por duhet të kishte bërë letrat brenda 40 ditëve, me aq sa më thanë. Unë do iki prapë në Greqi mbas festave dhe doja që ta mbaroja këtë punë para se të ikja. Doja ta bëja publike foton e makinës, mbase ai e shikon apo dikush që e njeh të më kontaktojë, dhe të bëj dokumentet e makinës që të iki nga emri im. Targat nuk i ndryshon dot se është në emrin tim. Kam dhe një foto që e kishte hedhur ai vetë në një faqe interneti. Për mua janë taksat që nuk e di a janë paguar apo jo. Këtë foto e ka hedhur ai në 2022. Ka ndërruar disqet, por targën jo. Ai as nuk e shet dot dhe targën s’e ndërron dot. Unë dua që të lidhem me atë që të flasim për letrat e makinës. Nuk dua të kem detyrime në shtet, se pa letrën e noteres që kishte të dhënat e atij nuk kam si ta gjej ndryshe. Do Zoti që dikush mund ta njohë apo vetë ai ta shikojë postimin tuaj", shkruan qytetari.