Gjykata në Mechelen të Belgjikës ka shpallur fajtor për trafik droge një shqiptar 23-vjeçar, i cili u arrestua pas një ndjekjeje policore në fillim të shtatorit 2024. Në makinën e tij me qira u gjetën rreth 4.6 kilogramë kokainë, me vlerë mbi 230 mijë euro në tregun e rrugës. I riu nuk i mohoi faktet dhe kërkoi që t’i lejohej kthimi sa më i shpejtë në Shqipëri.
Sipas prokurorisë, sasia e madhe e drogës tregonte se ai nuk ishte një shitës i zakonshëm, por kishte një rol më të rëndësishëm në një rrjet më të gjerë trafiku. Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithashtu 600 euro cash dhe dy telefona celularë. Prokurori kërkoi dënim me dy vite burg dhe gjobë 8 mijë euro.
Në mbrojtjen e tij, 23-vjeçari deklaroi se kishte ardhur në Belgjikë për të punuar në ndërtim dhe se ishte përfshirë në trafik droge për të shlyer borxhe bixhozi prej rreth 30 mijë eurosh. Gjykata i konsideroi faktet të provuara dhe e dënoi me dy vite burg me kusht, si dhe me një gjobë prej 8.000 eurosh.