Festa e ndërrimit të viteve i ka gjetur qytetarët e Beratit në vështirësi të thella ekonomike, duke e bërë të pamundur për shumë prej tyre blerjen e produkteve bazë për tryezën e Vitit të Ri.
Qytetarët shprehen se çmimet kanë pësuar rritje të ndjeshme, duke i detyruar të kufizohen vetëm në blerjet më të domosdoshme.
Si çdo vit, në prag festash dhe veçanërisht për Vitin e Ri, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm kanë shënuar rritje. Kjo situatë reflektohet në të gjitha tregjet e qarkut të Beratit, ku vihet re një shtrenjtim i përgjithshëm, ndërsa blerjet e qytetarëve janë dukshëm më të pakta.
Më të shtrenjtat këtë vit rezultojnë frutat dhe perimet, ndërsa rritje çmimi ka pësuar edhe gjeli i detit, produkt tradicional i festave të fundvitit. Për shkak të të ardhurave të ulëta, shumë familje po heqin dorë nga këto produkte, duke u fokusuar vetëm te artikujt bazë.
Qytetarët thonë se janë më të varfër se një vit më parë dhe se rritja e çmimeve i ka bërë produktet të papërballueshme për ta. Nga ana tjetër, tregtarët shprehen se nuk janë ata përgjegjës për shtrenjtimin, por kushtet e tregut. Sipas tyre, rritja e çmimeve ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse.
Të njëjtin shqetësim ndajnë edhe rritësit e shpendëve, të cilët theksojnë se, pavarësisht çmimeve aktuale, nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet e rritjes, për shkak të rritjes së kostove të ushqimeve dhe inputeve, të ndikuara edhe nga politikat shtetërore.
Si pasojë e çmimeve të larta dhe pamundësisë ekonomike të qytetarëve, tradita e mbushjes së tryezave në natën e ndërrimit të viteve duket se po zbehet gjithnjë e më shumë nga viti në vit.