Dinamo është fituesi i Superkupës së Shqipërisë, pasi mposhti Egnatian me rezultatin 3-1 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, duke siguruar kështu trofeun e parë të sezonit dhe duke mbyllur vitin 2025 në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ndeshja nisi më mirë për Egnatian, e cila kaloi në avantazh që në minutën e 9-të me anë të Ruçit, pas një gabimi në prapavijën dinamovite. Rrogozhinasit e mbyllën pjesën e parë në epërsi, ndërsa Dinamo krijoi disa raste të pastra, por pa arritur të konkretizojë.
Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Ekipi i Ilir Dajës u shfaq shumë më agresiv dhe brenda pak minutash përmbysi rezultatin. Fillimisht ishte Bregu që barazoi shifrat, ndërsa pak më vonë Nani realizoi golin e avantazhit, duke përmbysur totalisht takimin në harkun e minutave 54’–59’.
Në minutat e fundit, Dinamo vulosi fitoren me golin e tretë të shënuar nga Qefalija nga pika e bardhë e penalltisë, duke mos i lënë më hapësirë reagimi Egnatias.
Me këtë sukses, Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë pas 17 vitesh pritjeje, duke konfirmuar njëherazi se mbetet “makth” për ekipin e Edlir Tetovës, të cilin e ka mposhtur edhe më herët në finale.
Një triumf me peshë për blutë e kryeqytetit, që nisin sezonin me një trofe dhe japin sinjale të forta për vazhdimësinë.