Zgjedhjet në Kosovë: Numërohen 90% e kutive, Vetëvendosja kryeson me mbi 50% të votave

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.12.2025, 21:44

Sot në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e rezultateve preliminare. Sipas të dhënave zyrtare, janë numëruar rreth 90% e votave, ku Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm.

Nga numërimi i 2.292 kutive të votimit nga 2.557 gjithsej, rezulton se Vetëvendosje (LVV) ka marrë 50.09% të votave, duke thelluar ndjeshëm avantazhin ndaj forcave të tjera politike. PDK renditet forcë e dytë me 20.96%, ndërsa LDK pozicionohet e treta me 13.89% të votave. AAK ka siguruar 5.89%.

Procesi i votimit u zhvillua nga ora 07:00 deri në 19:00, në 910 qendra votimi me gjithsej 2.557 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë. Sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 45%.

Rezultatet tregojnë se Albin Kurti është drejt vijimit të qeverisjes së Kosovës, me Vetëvendosjen që siguron mbi gjysmën e votave, çka i hap rrugë formimit të qeverisë për një mandat të ri katërvjeçar.

Zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan pas një krize të gjatë politike, e cila pasoi zgjedhjet e mëparshme, ku asnjë forcë politike nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për krijimin e qeverisë, duke çuar vendin drejt një procesi të ri zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vijojë me përditësimin e rezultateve përfundimtare në orët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit