Trump pret Zelenskyn në Florida: Paqja Rusi-Ukrainë është në “fazat finale”!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.12.2025, 20:51

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës ndodhen në “fazat finale”, gjatë një takimi të zhvilluar të dielën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Florida.

Trump u shpreh se beson që si Ukraina ashtu edhe Rusia e vlerësojnë përpjekjen amerikane për t’i dhënë fund luftës, duke shtuar se “populli i Ukrainës dëshiron që kjo të marrë fund, po ashtu edhe populli i Rusisë, dhe të dy liderët duan ta mbyllin konfliktin”.

I pyetur nga gazetarët nëse sulmet e fundit ruse ndaj Kievit tregojnë se presidenti Vladimir Putin nuk është serioz për paqen, Trump u përgjigj: “Jo, ai është shumë serioz”. Ai shtoi se edhe Ukraina ka kryer sulme të forta, duke theksuar se në një luftë “ndonjëherë je i detyruar ta bësh këtë”.

Takimi me Zelenskyn vjen në kulmin e një nisme diplomatike të Trump për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë. Vetëm dy orë përpara këtij takimi, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, ku u diskutua plani amerikan i paqes.

Nga ana e tij, Zelensky ka bërë të ditur se shpreson të dakordësohet me Trump për një kornizë përfundimtare të paqes. Ai ka deklaruar gjithashtu se është i gatshëm ta çojë planin në referendum, nëse Rusia pranon një armëpushim minimal prej 60 ditësh.

Megjithatë, plani i Trump parashikon edhe lëshime territoriale të dhimbshme për Ukrainën në rajonin e Donbasit, çka mbetet një nga pikat më të ndjeshme të negociatave. Zelensky ka theksuar se, nëse nuk arrihet një pozicion i fortë për çështjen territoriale, vendimi final duhet të merret nga populli ukrainas.

Trump ka deklaruar se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë garanci të forta sigurie, pa dhënë ende detaje konkrete, ndërsa ka bërë të ditur se pas takimit me Zelenskyn do të zhvillojë një tjetër telefonatë me Putinin dhe një bisedë me liderët europianë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit