Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin e ndodhur pasditen e sotme në Urakë, shumë pranë qytetit të Përrenjasit, ku një grua humbi jetën pasi u përplas nga një automjet që po lëvizte me shpejtësi të lartë.
Sipas raportimeve të para nga qytetarët u tha se viktima ishte një burrë, banor i zonës, por policia ka qartësuar se bëhet fjalë për shtetasen me inicialet F. H., 64-vjeçe. Kjo e fundit u përplas nga një automjet që drejtohej nga një 31-vjeçar me inicialet O. B., i cili është arrestuar për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Burime të tjera bëjnë me dije se vendi ku ka ndodhur aksidenti është i mbushur me dyqane, dhe të dielave bëhet pazar, ku banorë të fshatrave të ndryshme mblidhen për të blerë ose shitur produkte. Ajo që e bën rastin më flagrant është se në zonë mungon sinjalistika rrugore që lejon kalimin e këmbësorëve.
Një qytetar shkruan: “Përshëndetje JOQ! Ka ndodhur një aksident në aksin Qafë Thanë-Përrenjas, në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, Urakë. Ky vend është shumë problematik pasi ka shumë dyqane, dhe fshatarët shkojnë për të blerë. Nuk ka as sinjalistikë për këmbësorët që kalojnë rrugën nga njëra anë në tjetër dhe ndodhin shumë aksidente. Shteti duhet të marrë masa urgjentisht se po merren jetë njerëzish. Sot humbi jetën një grua.”
Sipas asaj që raportuam më parë, viktima ishte duke kaluar rrugën, kur një automjet e përplasi fort duke e hedhur në ajër. Dëshmitarët tregojnë se ajo përfundoi sipër një tjetër makine, dhe fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.