Një ngjarje e rëndë është regjistruar një ditë më parë në qytetin e Durrësit, ku një i mitur rreth 15 vjeç ka mbetur i plagosur si pasojë e shpërthimit të një fishekzjarri. I mituri ka pësuar dëmtime në fytyrë dhe është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit.
Sipas policisë, rreth orës 21:45, i mituri është paraqitur në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës, ku ka marrë ndihmën e parë. Për shkak të natyrës së dëmtimeve, mjekët kanë vendosur ta transferojnë atë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Në lidhje me ngjarjen, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë referuar materialet në Prokurori për vlerësim dhe veprime të mëtejshme. Autoritetet po hetojnë rrethanat e incidentit, ndërsa apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht ndaj përdorimit të lëndëve piroteknike nga të miturit.