Në vitin 2020, një nga rastet më të përfolura të tenderëve publikë lidhej me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj. Tenderi me numër reference REF-74140-10-06-2020, me fond limit rreth 160 milionë lekë të reja pa TVSH, kishte si objekt “Përmirësimin e sistemit VMS” për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Që në atë kohë, JOQ denoncoi se bëhej fjalë për një procedurë të dyshimtë, ku vlera fituese ishte pothuajse identike me fondin limit, duke ngritur dyshime për një garë formale dhe fitues të paracaktuar.
Sipas raportimeve të kohës, në tender kishin marrë pjesë tre operatorë ekonomikë, por vetëm njëri u shpall fitues: bashkimi i kompanive “Ewis Company”, “Introvus Solutions” dhe “IT Gjergji Kompjuter”, kjo e fundit në pronësi të Grigor Jotit të grupit INFOSOFT. Një kompani tjetër, megjithëse kishte paraqitur ofertë më të ulët, u skualifikua, ndërsa një tjetër nuk paraqiti fare ofertë. Këto elemente ushqyen akuzat publike për favorizim dhe lidhje të përsëritura mes drejtuesve të AKSHI-t dhe të njëjtëve operatorë privatë, të cilët përfitonin tendera me vlera shumë të larta.
Sot, në vitin 2025, ky skandal i para pesë viteve merr një tjetër peshë, pasi Mirlinda Karçanaj ndodhet nën hetim nga SPAK për dyshime mbi afera korruptive, shpërdorim të fondeve publike dhe manipulim tenderash. Hetimet aktuale kanë rikthyer në vëmendje raste si ai i vitit 2020, të cilat atëherë u denoncuan publikisht, por mbetën pa përgjigje institucionale. Për opinionin publik, këto dosje përfaqësojnë një shembull të qartë se si dyshimet e hershme për keqmenaxhim dhe abuzim me taksat e qytetarëve mund të shndërrohen, vite më vonë, në çështje penale konkrete.