Brigitte Bardot, aktorja dhe këngëtarja franceze që u shndërrua në një ikonë globale të bukurisë dhe simbol të kinemasë, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Pas një karriere të suksesshme në film, ajo hoqi dorë nga aktrimi për t’iu përkushtuar aktivizmit në mbrojtje të të drejtave të kafshëve.
Ajo arriti famë botërore në vitin 1956 me filmin “Dhe Zoti Krijoi Gruan”, i shkruar dhe drejtuar nga bashkëshorti i saj i asaj kohe, Roger Vadim. Për rreth dy dekada, Bardot u bë simbol i sensualitetit femëror dhe një nga figurat më të njohura të kinemasë franceze.
Në fillim të viteve ’70, ajo njoftoi largimin nga industria e filmit dhe u angazhua gjithnjë e më shumë në jetën publike dhe politike. Aktivizmi i saj për mbrojtjen e kafshëve u shoqërua me deklarata polemike ndaj pakicave etnike dhe me mbështetje të hapur për Frontin Nacional të ekstremit të djathtë në Francë, çka i solli disa dënime për nxitje të urrejtjes racore.
E lindur në Paris në vitin 1934, Bardot u rrit në një familje të pasur dhe tradicionale katolike. Talenti i saj në balet i hapi rrugën studimeve në Konservatorin prestigjioz të Parisit. Paralelisht, ajo punoi si modele dhe në vitin 1950, vetëm 15 vjeçe, u shfaq në kopertinën e revistës Elle.
Pikërisht përmes modelingut, Bardot hyri në botën e filmit dhe gjatë një audicioni njohu Roger Vadim, me të cilin u martua në vitin 1952, pasi mbushi 18 vjeç. Fillimisht ajo interpretoi role të vogla, por me kalimin e kohës ato u bënë gjithnjë e më të rëndësishme.
Filmi “Dhe Zoti Krijoi Gruan”, ku Bardot interpretoi një vajzë të re të lirë dhe rebele në Saint-Tropez, vulosi imazhin e saj dhe e ktheu në një yll ndërkombëtar. Suksesi i madh i filmit në Francë dhe jashtë saj e ngriti Bardot në majat e kinemasë franceze dhe e bëri një figurë të paharrueshme të kulturës popullore.