Si SPAK po shtrëngon rrethin ndaj Ballukut, para betejës për imunitetin

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.12.2025, 11:18

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar veprimet hetimore ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve të lidhur me procedurat e tenderimit në këtë ministri.

Gjatë ditës së djeshme, më shumë se 40 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ushtruan dhjetëra kontrolle në zyra dhe banesa të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, si edhe të disa biznesmenëve që dyshohet se kanë përfituar nga tendera publikë. Burime pranë SPAK bëjnë me dije se këto veprime janë pjesë e një faze të zgjeruar hetimore, e cila ka nisur prej disa javësh.

Sipas asaj që raporton gazetari i kronikës, Elton Qyno, në një hark kohor prej rreth 20 ditësh SPAK dhe BKH kanë intensifikuar ndjeshëm hetimet ndaj Ballukut dhe rrethit të saj, ndërsa Kuvendit të Shqipërisë i është depozituar kërkesa për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestim. Kontrollimet e fundit përfshijnë gjithsej 54 veprime proceduriale, ku janë sekuestruar telefona celularë dhe pajisje kompjuterike, të cilat tashmë janë dërguar për ekspertim.

Në mes të këtyre zhvillimeve, sipas raportimeve mediatike, kryeministri Edi Rama është vënë në dijeni të situatës dhe ndjek nga afër ecurinë e hetimeve, ndërsa nga ana e qeverisë nuk ka pasur ende një reagim zyrtar lidhur me veprimet e SPAK ndaj zv/kryeministres.

Në listën e personave të kontrolluar, sipas burimeve mediatike, përfshihen zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të ministrisë, si dhe disa biznesmenë të njohur. Mes tyre përmenden edhe drejtues institucionesh publike, për të cilët janë sekuestruar pajisje komunikimi për herë të dytë. Policia e Shtetit ka pasur rol mbështetës, ndërsa veprimet proceduriale janë kryer nga SPAK dhe BKH.

Prokuroria dyshon se hetimi po ndjek një strategji zgjerimi të rrethit të përgjegjësisë penale, me synimin për të verifikuar të gjitha marrëdhëniet zyrtare dhe private të lidhura me tenderat e administruar nga Ministria e Infrastrukturës. Qëllimi, sipas burimeve, është ndërtimi i një panorame të plotë hetimore përpara shqyrtimit të çështjes në Komisionin për Mandatet në Kuvend.

Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për paracaktim të fituesve në tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, si dhe për shkelje të procedurave në disa tendera të lidhur me projektin e Unazës së Madhe. Më 31 tetor, ajo u mor zyrtarisht e pandehur, ndërsa së fundmi SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar dhe autorizimin për arrestim.

Hetimet vijojnë, ndërkohë që materialet e sekuestruara do t’i nënshtrohen analizës së detajuar për të verifikuar komunikime dhe prova të mundshme që lidhen me veprat penale të dyshuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit