Qyteti i Vlorës vijon të përballet me mungesë uji për të tretën ditë radhazi, pas një defekti në linjën kryesore të transmetimit të ujit. Problem i tillë ka ndodhur pas një ndërhyrjeje të kryer dy ditë më parë, e cila kishte për qëllim rregullimin e një problemi teknik të vogël.
Sipas informacionit të dhënë nga autoritetet, ndërhyrja përfundoi në një avari më të madhe, pasi tubacioni shpërtheu gjatë punimeve, duke shkaktuar ndërprerjen totale të furnizimit me ujë në qytet. Kjo situatë ka krijuar vështirësi të konsiderueshme për banorët dhe institucionet publike.
Situata më kritike raportohet të jetë në spitalin e qytetit, ku pacientët po furnizohen me ujë përmes autoboteve të zjarrfikësve. Ende nuk dihet se kur pritet të zgjidhet problemi, ndërkohë që media raporton se qyteti mund të mbetet pa ujë edhe për disa ditë të tjera.