Qytetarët me status invaliditeti në Shqipëri nuk kanë mundësi të paguajnë online taksën vjetore të automjetit përmes portalit e-Albania, ndryshe nga qytetarët e tjerë.
Një person që i përket kësaj kategorie i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar këtë problematikë, duke theksuar se procesi për ta është i pamundur online dhe tepër i ndërlikuar.
Sipas tij, invalidët detyrohen të mbledhin dokumentacionin përkatës dhe ta dorëzojnë fizikisht pranë zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Vetëm pas verifikimit të dokumenteve nga DPSHTRR u llogaritet taksa vjetore e automjetit, e cila për këtë kategori është 200 lekë të reja.
Denoncuesi thekson se, ndonëse janë investuar miliona lekë për digjitalizimin e shërbimeve, personat me aftësi të kufizuara nuk përfitojnë nga pagesa online dhe mbeten të detyruar të enden nëpër zyra për një shërbim që për qytetarët e tjerë ofrohet lehtësisht në mënyrë elektronike.
“AKSHI ka bërë sisteme kompjuterike që qytetarët të paguajnë taksën e makinës online, pra mjafton të futesh te “E Albania” të del automjeti jot dhe bën pagesën. Ndërsa nëse je invalid nuk e bën dot, duhet të mbledhësh dokumenta lart e poshtë dhe t’i dërgosh te zyrat e DPSHTRR. Ata i shikojnë dhe pastaj të japin taksën e makinës, që për këtë kategori kushton 200 lekë të reja. Invalidët në Shqipëri nuk e paguajnë dot taksën vjetore të makinës online si çdo qytetar, ky është i gjithë thelbi. Ne që jemi me këtë status duhet të mbledhim dokumenta dhe t’i dërgojmë fizikisht në DPSHTRR,” thotë denoncuesi.
Së fundmi zyrtarët e AKSHI-t janë përfshirë në një megaskandal, pasi hetimet e SPAK zbuluan se ky institucion drejtohej nga një grup i strukturuar kriminal, i cili ka kryer dhe pengmarrje për të detyruar tërheqjen e biznesmenëve të caktuar nga ankimimi i tenderave të institucionit.