Kosova mban sot zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare për herë të dytë brenda një viti, pas dështimit të formimit të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe nga partitë e tjera. Vendimi për rikthimin në zgjedhje vjen pas bllokimit institucional që ka nisur më 9 shkurt, kur asnjë forcë politike nuk arriti të sigurojë shumicën për qeverisje.
Në garë marrin pjesë 22 subjekte politike: 18 parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Partitë kryesore janë Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe Lista Srpska nga radhët e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar. Në total, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 1.180 kandidatë për deputetë.
Qendrat e votimit janë hapur nga ora 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Sipas KQZ-së, të drejtë vote kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 qytetarë. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra votimi, me gjithsej 2.614 vendvotime.